Merkel takim me Putin, në fokus Ukraina dhe Siria

02/05/2017 00:00

Kancelarja gjermane Angela Merkel pritet të takohet me presidentin Vladimir Putin në Rusi, për herë të parë që prej vitit 2015.

Takimi, që do të bëhet në rezidencën verore të Putin në Soçi, vjen në një kohë kur marrëdhëniet dypalëshe ndodhen në pikën më të ulët për shkak të aneksimit të Krimesë nga Rusia dhe lufta në Siri.

Dy liderët pritet të trajtojnë të dyja çështjet gjatë takimit, por nuk pritet që të arrihet ndonjë zgjidhje konkrete. Më pas, ditën e mërkurë, Putin do të takohet me homologun turk Recep Tayip Erdogan.

Marrëdhëniet mes Rusisë dhe Gjermanisë janë përkeqësuar që kur Rusia në vitin 2014 aneksoi Krimenë nga Ukraina dhe Gjermania u kthye në motorin e sanksioneve të BE-së të vendosura si kundërpërgjigje.

Putin dhe Merkel, që janë mes liderëve më të fuqishëm të botës, kanë hasur njëri-tjetrin në disa samite ndërkombëtare të zhvilluara së fundmi.

Por ky takim, që i paraprin samitit të vendeve të grupimit G20 që do të mbahet në korrik në Hamburg, është i pari që kancelarja zhvillon në Rusi në dy vjet.

Merkel dëshiron që Rusia të përpiqet t’i japë fund konfliktit në Ukrainë, duke përdorur influencën e saj tek separatistët dhe i nevojitet bashkëpunimi i Moskës për të sjellë paqe në Siri, deklaron korrespondenti i BBC në Berlin, Damien McGuinness.

Por, në të njëjtën mënyrë, Putinit i duhet mbështetja e Merkel për heqjen e sanksioneve të BE-së, ndërsa i duhet edhe një opinion i saj mbi presidentin Trump, të cilin kancelarja e takoi së fundmi, shton korrespondenti.

Top Channel