Sistemi antiraketë i SHBA, tashmë operacional në Korenë e Jugut

02/05/2017 00:00

Sistemi amerikan i mbrojtjes raketore “THAAD”, i zhvendosur në Korenë e Jugut, tashmë është në funksion, njoftoi një zëdhënës i ushtrisë së Shteteve të Bashkuara.

“THAAD”, sipas tij, mund të interceptojë nga ky moment raketat e Veriut komunist, duke mbrojtur kështu Jugun. Por për arritjen e kapacitetit të tij të plotë operacional mund të duhen disa muaj kohë.

Tensionet janë shtuar ndjeshëm në gadishullin korean, me kërcënimet e përshkallëzuara të Penianit dhe praninë e një grupi luftanijesh e të një nëndetëseje amerikane.

“THAAD” u vendos javën e kaluar në një ish-fushë golfi të provincës qendrore Seongju, ku ngjalli protestat e banorëve vendas, të cilët e shohin sistemin raketor si shënjestër të mundshme sulmesh dhe një rrezik për njerëzit që jetojnë aty pranë.

Ankesa ka dhe nga Kina, që beson se rrezja e veprimit të radarit të këtij sistemi mund të ndërhyjë në sigurinë e operacioneve të saj ushtarake. Një ditë më parë, dy avionë bombardues amerikanë “B-1B” fluturuan mbi gadishull, në vazhdën e një stërvitjeje të përbashkët ushtarake me Seulin.

Peniani reagoi menjëherë duke thënë se provokime të tilla të pamatura po e shtyjnë situatën në buzë të luftës bërthamore. CNN pretendon se po të jetë shumë i fuqishëm, testi i 6 bërthamor i shtetit komunist mund të shkaktojë shpërthimin e një vullkani në kufirin e tij me Kinën.

Top Channel