Pendohen britanikët. 45% mendojnë se “Brexit” ishte gabim

02/05/2017 00:00

Numri i votuesve britanikë, që mendojnë se “Brexit” ishte një gabim, e kapërcen sot atë të personave që këmbëngulin në të kundërtën.

Një sondazh i “Times” tregon se, 45 për qind e britanikëve e konsiderojnë largimin e vendit nga Bashkimi Europian si një zgjedhje të gabuar, 43% thonë se ishte i drejtë, ndërsa 12% u përgjigjen me “nuk e di”.

Kjo është hera e parë që rezultojnë më të shumtë britanikët, të cilët mendojnë se përfundimi i referendumit të 23 qershorit 2016 duhej të kishte qenë krejt tjetër, në një kohë kur çështja e “Brexit”-it vazhdon ta përçajë thellësisht vendin.

Parlamenti britanik votoi ditë më parë me shumicë dërrmuese për të mbështetur kryeministren Theresa May, e cila kërkoi mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 8 qershor, 3 vite para afatit.

May e bëri këtë kërkesë me shpresën që të zbusë disi shkëputjen nga Bashkimi Europian. Procesi dyvjeçar i negociatave filloi muajin e kaluar, kur shefja e ekzekutivit aktivizoi “Artikullin 50” të Traktatit të Lisbonës. Por udhëheqësja britanike është përballuar me protestat e opozitës, lidhur me mënyrën e zhvillimit të negociatave për çështjet e tregtisë dhe taksave.

Sipas analistëve, zgjedhjet e parakohshme mund t’i japin Mayt më shumë mundësi në negociimin e daljes së Britanisë nga blloku, ndërsa i sigurojnë njëkohësisht opozitës mundësinë për të pasur një zë më të fuqishëm mbi mënyrën sesi do të zhvillohet “Brexit”.

Top Channel