Të lejohet shumica parlamentare që të propozojë qeverinë. Ky ishte mesazhi i qartë i Shteteve të Bashkuara, përmes të dërguarit të saj Hoyt Brian Yee, për politikën maqedonase.

Pas takimeve me kryetarin e ri të Parlamentit, Talat Xhaferi, udhëheqësin e LSDM-së, Zoran Zaev, si dhe presidentin Gjorge Ivanov, zëvendësndihmës Sekretari i Shtetit tha se, së fundmi, progresi i Maqedonisë nuk ka qenë pozitiv e as i shpejtë.

“Politikanët e Maqedonisë nuk kanë mundur të formojnë Qeverinë e re dhe kjo s’është aspak mirë për qytetarët. Ne dënojmë sulmet ndaj deputetëve dhe bëjmë thirrje që ata, të cilët janë përgjegjës, të dalin para drejtësisë. Ftojmë udhëheqësit politikë të gjejnë zgjidhje dhe të dalin nga kjo situatë. Të lejohet që shumica parlamentare të propozojë Qeverinë. Ftojmë partitë politike, shoqërinë civile dhe aktorë të tjerë të bashkohen dhe të gjejnë zgjidhje”, tha Hoyt Brian Yee, zv.ndihmës Sekretar i Shtetit.

Diplomati amerikan i bëri këto komente pas takimit me presidentin Ivanov, i cili u duk sikur ishte i gatshëm të ndryshonte qëndrimin e tij. Në një komunikatë të Presidencës pas takimit shkruhet se, nëse ka udhëheqësi të vërtetë politik nga krerët e partive, pengesat ligjore dhe politike për dhënien e mandatit qeveritar mund të tejkalohen.

Ivanov u kërkoi ndihmë Shteteve të Bashkuara për eliminimin e këtyre pengesave, si dhe i bëri thirrje udhëheqësit të LSDM-së, Zoran Zaev të japë garanci për forcimin e unitetit të vendit, duke respektuar Kushtetutën. Megjithatë, Ivanov theksoi sërish se “platforma e Tiranës” nuk mund të jetë kusht apo bazë për formimin e qeverisë.

Top Channel