Juve, Dani Alves: Eliminimi i Barçës nuk na jep Championsin

01/05/2017 00:00

Në prag të sfidës së parë të gjysmëfinaleve të Champions League, Dani Alves, përveçse tregon emocionet për këtë arritje, edhe paralajmëron.

“Rreziku më i madh në përballjen ndaj Monacos është vetëkënaqësia, apo të menduarit se e kemi fituar Championsin pas eliminimit të Barcelonës. Por në fakt, trofeun ende nuk e kemi fituar. Kompeticioni është ende duke u zhvilluar dhe duhet ende shumë punë deri në fundin e tij. Nuk duhet të gabojmë”, thotë braziliani i bardhezinjve, i transferuar në Itali pikërisht nga Katalunja.

“Duhet të jemi në 100 për qind të formës sonë. Motivimi nuk mungon, sepse Juve ka shumë vite që nuk fiton në Europë. Në ‘Louis II’ do ta kemi tepër të vështirë. Në Monako nuk do të jetë thjesht një shëtitje. Ata luajnë futboll dhe nuk shqetësohen shumë sepse nuk kanë çfarë të humbasin, ndërsa ne duhet të jemi shumë të qetë dhe të përqëndruar për të shkuar deri në finale. Duhet të përmirësohemi, por që prej fillimit të sezonit donim të arrinim këtu ku jemi, madje edhe më larg. Synojmë të fitojmë të gjitha kompeticionet ku marrim pjesë”, shton më tej mbrojtësi brazilian.

Dani Alves nuk e fsheh dëshirën për të arritur “tripletën”. “Duket e thjeshtë, por realiteti është se punojmë shumë. Ne duhet të bëjmë punën tonë ditë pas dite, por kurrë s’duhet të mendojmë se nuk i kemi mundësitë tona për sukses. Gjithçka mund të fitohet, ndaj edhe ëndërrojmë. Gjithsesi, s’kemi arritur ende asgjë, por jemi të lumtur që mund të shkruajmë historinë”.

Top Channel