Paqja në Lindjen e Mesme, Hamas zbut qëndrimin ndaj Izraelit

01/05/2017 00:00

Grupi islamik palestinez “Hamas” pritet të heqë dorë nga thirrja për shkatërrimin e Izraelit, si dhe të shkëpusë lidhjet e saj me “Vëllazërinë Myslimane”. Lajmi bëhet i ditur nga burime të vendeve të gjirit arab, e do të publikohet përmes një letre këtë të hënë.

Lëvizja e Hamasit bëhet me synimin për të përmirësuar marrëdhëniet me vendet e Gjirit Arab dhe Egjiptin, me këtë të fundit që e konsideron “Vëllazërinë Myslimane” si një organizatë terroriste, sikurse edhe vendet perëndimore, shumica e të cilave konsiderojnë edhe Hamasin një grup terrorist për shkak të armiqësisë që i ka shpallur Izraelit.

Burimet thonë se Hamasi, që kontrollon Rripin e Gazës prej vitit 2007, do të thotë përmes dokumentit të kësaj të hëne se, pranon një shtet tranzicional palestinez përgjatë kufijve të përcaktuar nga viti 1967, kur Izraeli pushtoi Gazën, Bregun Perëndimor dhe Jeruzalemin Lindor, gjatë luftës me shtetet arabe. Izraeli, në fakt, është tërhequr nga Gaza në vitin 2005.

Shteti i ardhshëm që përfshin Gazën, Bregun Perëndimor dhe Jeruzalemin Lindor sipas kufijve të 1967-s është objektivi i rivalit kryesor politik të Hamasit, “Lëvizja Fatah” e udhëhequr nga presidenti palestinez, Mahmoud Abbas. Autoriteti Palestinez i drejtuar prej tij është përfshirë në bisedime paqeje me Izraelin mbi këtë bazë, edhe pse raundi i fundit i ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara u prish rreth 3 vite më parë.

Dokumenti politik i rishikuar i Hamasit, që do të publikohet pasditen e kësaj të hëne, gjithsesi do të refuzojë të drejtën e Izraelit për ekzistencë dhe do të mbështesë “betejën e armatosur” kundër tij, thanë më tej burime arabe për “Reuters”.

Hamasi ka zhvilluar 3 luftëra me Izraelin prej vitit 2007 dhe ka ndërmarrë qindra sulme të armatosura në Izrael dhe territoret e pushtuara prej vendit hebre, që kur u themelua rreth 3 dekada më parë. Mbetet ende e paqartë nëse dokumenti zëvendëson apo ndryshon në ndonjë mënyrë kapitullin 1988 të Hamasit, që bën thirrje për shkatërrimin e Izraelit, dhe që është “besëlidhja” e grupit islamik.

Një zëdhënës i Hamasit në Katar refuzoi të komentonte, sikurse nuk kanë reaguar as Egjipti dhe as shtetet e Gjirit Arabik.

Burimet arabe thonë se dokumenti i Hamasit do të publikohet përpara vizitës së planifikuar të Abbasit në Uashington, më 3 maj, dhe teksa administrata e Donald Trumpit përgatitet për të bërë sërish thirrje për paqe mes Izraelit dhe palestinezëve.

Top Channel