Kënde lojërash për fëmijë, një qendër për ata me aftësi të kufizuara

01/05/2017 00:00

Bashkia e Tiranës ka nisur ndërtimin e këndit të 15-të të lojrave në zonën e Kombinatit. Kreu i bashkisë Erion Veliaj tha se ky është këndi i parë i përshtatshëm për fëmijët me aftësi ndryshe.

“Më vjen mirë që shumë pranë qendrës së Kombinatit po fillojmë punën për këndin e parë të kodrave, i përshtatur edhe për fëmijët me aftësi ndryshe, për fëmijët që mund të kenë nevoja të terapisë mendore, me autizëm ose me sindromën doën. Për herë të parë kemi një kënd lodrash, i cili përfshin të gjithë fëmijët, edhe për të gjithë nevojat që ata kanë”, tha Veliaj.

Ai nënvizoi se Bashkia e Tiranës është e fokusuar për të vijuar punën në përmirësimin e gjithë infrastrukturës në kryeqytet, si të asaj rrugore, ashtu edhe asaj sociale e arsimore.

“Bashkia e Tiranës ka vendosur të punojë gjatë gjithë verës, pavarësisht fushatës zgjedhore apo pushimeve, ne do të vazhdojmë punën pa ndërprerje”, tha Veliaj. Ai shtoi se përveç përfundimit të shkollës “Betim Muço”, i cili është një investim shumë i rëndësishëm për Kombinatin, do të vijojnë punimet edhe për disa shkolla të tjera, me qëllim që të marrë zgjidhje problemi i mësimdhënies me dy turne.

Sa i takon Kombinatit, kryebashkiaku Veliaj theksoi se përveç investimeve madhore, puna do të fokusohet edhe te përmirësimi dhe rikualifikimi urban i lagjeve të ndryshme të njësisë.

“Mezi pres që projektet madhore të zonës së Kombinatit të fillojnë të fokusohen më shumë nëpër lagje, ku prioritet do të ketë zona e “Misto Mames” dhe zona e ‘Astirit’”, shtoi Veliaj, duke theksuar se Kombinati do të jetë një kantier ndërtimesh gjatë gjithë verës.

Ai njoftoi se shumë shpejt do të fillojnë punimet për zonën që lidh Kombinatin me Sharrën, si dhe rehabilitimi i varrezave të Sharrës.

Top Channel