Ç’po ndodh me Interin?

01/05/2017 00:00

Interi po përjeton momentin më të errët të këtij sezoni. Në 6 ndeshjet e fundit, zikaltërit kanë mundur të marrin vetëm 2 pikë, që konfirmon edhe njëherë krizën e thellë të kësaj skuadre, që ka zbritur në vendin e 7 të klasifikimit, 18 pikë larg zonës së Ligës së Kampioneve, që ishte edhe objektivi kryesor për këtë sezon.

Është pikërisht mungesa e stimujve një prej motiveve që shpjegon këtë situatë të Interit, pa harruar këtu edhe gjendjen jo optimale fizike dhe teknike të lojtarëve. Pas fitores me Atalantën dhe humbjeve me Sampdorian e Krotonen, për Interin opsioni i vetëm ka mbetur Europa League, por që nuk i tërheq shumë zikaltërit.

Javët e fundit, në fushën e lojës është parë një skuadër shumë pak e përqendruar dhe në disa momente pa shumë dëshirë për të luajtur e sipërfaqësore. Kjo u pa në derbin me Milanin, që barazoi 2-2 pasi u gjend në avantazhin 2-0, në ndeshjen me Fiorentinën që pësoi 4 gola në më pak se çerek ore lojë, ndërkohë që ndaj Napolit e pati të vështirë që të qëndrojë në lojë.

Katër ndeshjet e fundit me Genoan, Sassuolon, Lazion e Udinesen marrin një rëndësi të madhe për Interin, që do të kërkojë të shpëtojë një sezon që për momentin duket krejtësisht i dështuar.

Top Channel