Rally, Neuville fiton garën në Argjentinë

01/05/2017 00:00

Është Thierry Neuville fituesi i Çmimit të Madh të Argjentinës në Botërorin e Rally.

Piloti belg përfitoi nga një gabim i Elfyn Evans për t’i rrëmbyer këtë sukses britanikut, i cili ishte në kryesimin e garës në përfundim të dy ditëve të para.

Evans e nisi ditën e fundit me më pak se 1 sekondë përpara Neuville. Diferenca me të shkoi në 3 sekonda dhe në momentin kur u duk se po i afrohej fitores, britaniku pësoi një aksident në urë, që i kushtoi shumë, pasi humbi kohë kundrejt rivalit të tij, duke e mbyllur garën me 7 të dhjetat më shumë se belgu.

Në vendin e tretë të kësaj gare u pozicionua Ott Tanak me 30 sekonda më shumë se Neuville, i ndjekur në vendin e katërt nga Sebastian Ogier, me këtë të fundit që vazhdon të kryesojë renditjen e përgjithshme të Botërorit. Pas 4 garave të para, francezi është në kuotën e 102 pikëve i ndjekur nga Latvala në vendin e dytë me 86 pikë.

Ndërkohë që në vendin e tretë gjendet Neuville, me 84 pikë.

Top Channel