Japonezët, luftanije në ndihmë të flotës së SHBA

01/05/2017 00:00

Në një shfaqje të hapur solidariteti, Japonia dërgoi luftanijen e saj më të madhe për të mbrojtur anijen çisternë amerikane të nisur drejt flotiljes detare të Shteteve të Bashkuara në rajon, për ta furnizuar me karburant.

Dërgimi i helikoptermbajtëses “Izumo” përbën të parin operacion të këtij lloji që prej miratimit të paketës së ligjeve polemizuese mbi zgjerimin e rolit të ushtrisë japoneze.

“Izumo”, 249 metra e gjatë, mund të mbajë deri në 9 helikopterë dhe ngjason me anijet amfibe sulmuese të Uashingtonit. Kushtetuta japoneze e pasluftës së Dytë Botërore ia ndalon ushtrisë së vendit përdorimin e forcës për zgjidhjen e konflikteve, me përjashtimin e rasteve kur bëhet fjalë për vetëmbrojtje.

Njësia luftarake, së cilës po i drejtohet anija çisternë amerikane, kryesohet nga aeroplanmbajtësja “USS Carl Vinson”, që Peniani kërcënon ta fundosë. Flotilja u dërgua në rajon në mesin e përshkallëzimeve me Korenë e Veriut, e cila e ndërmori edhe një test tjetër raketor, pavarësisht paralajmërimeve të Perëndimit për ta ndaluar këtë aktivitet të sajin, së bashku me atë bërthamor.

Në një intervistë për “Face the Nation” të “CBS”, Donald Trump e la të hapur mundësinë e përdorimit të forcës ushtarake ndaj Penianit. “Nuk e di, këtë do ta shohim”, i tha ai moderatorit John Dickerson, kur e pyeti nëse pakënaqësia me Korenë e Veriut nënkupton ndërhyrje ushtarake.

Të shtunën, Peniani deklaroi se armët bërthamore po i prodhon për vetëmbrojtje dhe për sigurinë e tij, përballë kërcënimit që përbëjnë për të, Shtetet e Bashkuara.

Top Channel