Spiuni zviceran arrestohet nga policia gjermane

30/04/2017 00:00

Një zviceran u arrestua në Frankfurt, me dyshime se është spiun.

Prokurorët federalë gjermanë thanë se mashkulli i arrestuar, dyshohet se ka punuar për shërbimet e inteligjencë së një vendi të huaj, që prej 2012-ës. Raportet në mediat gjermane, sugjerojnë se zvicerani mund të ketë spinuar hetuesit gjermanë të taksave.

54 vjeçari, i identifikuar vetëm si Daniel M, u arrestua të premten, por mandati për arrestimin e tij ishte nxjerrë që dhjetorin e shkuar. Si pjesë e operacionit policor, u kontrolluan disa banesa dhe biznese në Frankfurt dhe në zonën e Wetterau.

Autoritetet gjermane prej kohësh, pavarësisht kritikave, kanë blerë informacione nga burime të ndryshme brenda bankave zvicerane, në përpjekje për të kapur shtetasit gjermanë që kanë llogari bankare tek to.

Kjo çështje ka shkaktuar tension mes qeverisë së Gjermanisë dhe asaj të Zvicrës dhe duket e natyrshme që kësaj situate mos t’i mungonte elementi i spiunazhit.

Autoritetet gjermane kanë justifikuar blerjen e informacionit, duke thënë se përfitimet do të jenë shumë më të mëdha, kur të merret taksat e papaguara. Por sipas Zvicrës, të paguash njerëz që vjedhin informacione nga bankat zvicerane, është e gabuar.

Top Channel