Ndalet sërish Milani, Bologna siguron qëndrimin

30/04/2017 00:00

Milani nuk ka shkuar më shumë se një barazim 1-1, në transfertën ndaj Crotones, e cila po luan shanset për të mbijetuar në Serinë A.

Crotone kaloi e para në avantazh, që në minutën e tetë, me anë të Trotta-s dhe mbylli pjesën e parë me rezultatin 1-0. Në fillim të pjesës së dytë, Milani gjen golin e barazimit me anë të Palettës, i cili shënoi pas një topi të kthyer në qendër të zonës nga Jurai Kuçka.

Milani tentoi vazhdimisht të gjejë golin e fitores, por edhe Crotone u tregua e kujdesshme në mbrojtjen e rezultatit. Në minutat shtesë, Kuçka u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë dhe la kuqezinjtë me dhjetë futbollistë.

Kështu Milani, pas humbjes ndaj Empolit javën e kaluar, dështon sërish që të thellojë diferencën më Interin, në garën për një vend në Europa League.

Gjithashtu sot, Bologna fitoi me rezultatin 4-0 ndaj Udineses dhe arriti të sigurojë edhe matematikisht, qëndrimin në Serinë A. 

Top Channel