Refuzoi darkën e korrespondentëve, vihet në lojë. Trump: Media ngel në klasë

30/04/2017 00:00

Ditën e tij të 100-të në Zyrën Ovale, Donald Trump nuk e kremtoi në darkën e zakonshme të papionëve të zinj, ku siç thonë disa, mori jetë edhe përpjekja e tij për Shtëpinë e Bardhë, por zgjodhi ta kalonte me një pjesë të njerëzve që e katapultuan në pushtet.

Mes përshkallëzimit të marrëdhënieve me median, presidenti e njoftoi që në shkurt se nuk do të merrte pjesë në darkën e korrespondentëve, i pari kryetar i shtetit amerikan pas Ronald Reagan që e humbet këtë shfaqje.

Edhe Reagan asokohe pati një arsye shumë të fortë: ishte i shtruar në spital pas një tentative ndaj jetës së tij. Në vend të kësaj, Trump zgjodhi të mbante një tubim të stilit të fushatës në Harrisburg të Pensilvanisë, një prej shteteve ku nuk priste të fitonte në muajin nëntor. Qëllimi i mitingut ishte t’i kujtonte shtresës së mbështetësve të vet më të zjarrtë se i ka mbajtur premtimet elektorale, ndërsa iu përvesh edhe njëherë shtypit amerikan, kritikat e të cilit i hodhi poshtë si “fake news”.

“Medias duhet t’i jepet një notë e madhe jokaluese për mbulimin që i ka bërë 100 ditëve të mia të para. Jam i kënaqur që gjendem 100 milje larg Uashingtonit dhe që po e kaloj mbrëmjen me ju, sepse media e Uashingtonit është pjesë e problemit. Prioritetet e saj nuk janë të miat dhe nuk janë as tuajat, besomëni”, tha Trump.

Mungesa në darkën e korrespondentëve nuk ia kurseu Trumpit shënjestrimin. Komediani Hasan Minhaj e vuri në lojë keq.

“Shoh që po pini e po ia kaloni mirë. Shumë gjë e bukur kjo. E dini që Donald Trump nuk pi, apo jo? Nuk e prek me dorë alkoolin, ndaj meriton respekt. Por mendoni pak: kjo do të thotë gjithashtu se në çdo deklaratë, në çdo intervistë, në çdo mesazh në Twitter, ai njeri ka qenë komplet esëll. Si është e mundur një gjë e tillë”, tha Hasan Minhaj, komedian.

Përpara fjalimit të Trumpit në Pensilvani, mijëra vetë dolën në protesta anembanë Shteteve të Bashkuara kundër qëndrimit të administratës të tij ndaj ndryshimeve klimatike.

Top Channel