Boks, Joshua fitoi 15 mln paund. I hedh dorashkën Tyson Fury

30/04/2017 00:00

Anthony Joshua këmbëngul se i ka bërë të heshtin kritikët e tij, pas ndeshjes emocionuese të boksit ndaj Wladimir Klitschko, që i dha atij titullin kampion bote në peshat e rënda, një përballje e mbyllur në raundin e 11 me “knock out” teknik.

Boksieri britanik, i cili vazhdon të mbajë një profil të ulët publik dhe jeton me familjen e tij në një shtëpi modeste, i qëndroi bindjes se do të vazhdojë të përmirësohet dhe të regjistrojë fitore të tjera.

“Nuk i fsheh dot emocionet, pasi shumë njerëz dyshonin në aftësitë e mia, por dua t’iu them se do të përmirësohem”, tha kampioni britanik. Anthony Joshua u rrëmbye nga emocionet pas përballjes me ukrainasin, duke lançuar edhe sfidën ndaj Tyson Fury, për një ndeshje potenciale në të ardhmen.

“Tyson Fury, where you at baby?”.

“Dua t’iu dhuroj këtyre 90 mijë tifozëve mundësinë që të shohin sërish boks cilësor. Ku je fshehur, pasi dua të rikthehem sërish në Wembley”, ironizoi Anthony Joshua në pyetjen, që mori menjëherë përgjigjen pozitive të boksierit Fury.

Fitorja ndaj Klitschkos do t’i japë një çek të majmë prej 15 milionë paund boksierit britanik, kjo falë kontratave me sponsorët dhe të drejtave televizive, me shitjet që kapën majat mbrëmjen e së shtunës.

Top Channel