Goleadë dhe kampionë, Bajerni shpallet edhe matematikisht

29/04/2017 00:00

Për shumë tifozë dhe sportdashës, Bajerni është shpallur kampion i Gjermanisë prej disa javësh dhe pakkush besonte se do të ndodhte ndryshe.

Dhe kështu është! Asnjë surprizë nuk ndodhi. Skuadra e drejtuar nga Carlo Ancelotti u shpall kampione e Gjermanisë edhe matematikisht. Bavarezët u shpallën kampionë të Gjermanisë për të pestën herë me radhë dhe të 27-n në total në fushën e Volfsburgut dhe e bënë këtë bindshëm.

Plot gjashtë gola shënuan ata në këtë takim, që shërbeu edhe si shfryrje inati ndaj eleminimit në gjysmëfinalen e Kupës së Gjermanisë nga Dortmundi në mesjavë.

Alaba hapi serinë e golave në minutën e 19-të dhe më pas një dygolësh i Levandovskit vulosi rezultatin për pjesën e parë. Në minutën e 66-të, Robben gjen golin personal dhe të katërtin, ndërsa Muller dhe Kimmich vulosin gjithçka.

Me këtë fitore Bajerni ngjitet në kuotën e 73 pikëve, 10 më shumë se Leipzig, që ngeci në një barazim të bardhë pa gola në fushën e tij në ndeshjen ndaj Ingolstad, ndërkohë që kanë mbetur edhe tre javë deri nga fundi i kampionatit.

Top Channel