Negociatat për Brexit, BE është gati

29/04/2017 00:00

Liderët e Bashkimit Europian kanë rënë dakord në mënyrë unanime për kornizën e negociatave për bisedimet e Brexitit me Britaninë e Madhe. Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk, që kryesoi bisedimet në Bruksel, në një postim në Twitter shkruante se mandati për fillimin e bisedimeve është gati.

Më herët, Tusk kishte bërë apel për një BE të bashkuar përballë negociatave për Brexitin.

“Ne të gjithë duam një marrëdhënie të fortë dhe të afërt në të ardhmen me Britaninë. Por, para se të diskutojmë të ardhmen, duhet të zgjidhim të shkuarën. Do ta trajtojmë këtë me kujdes dhe me vendosmëri. Duhet të mbetemi të bashkuar si 27 vende anëtare dhe vetëm atëherë do të mund të përfundojmë negociatat. Çka do të thotë se uniteti ynë është edhe në interes të Britanisë”, thotë Tusk.

Liderëve të BE-së iu deshën më pak se 15 minuta për të miratuar projektkornizën për negociatat që është publikuar më 31 mars nga presidenti Tusk. Bisedimet me britaninë do të fillojnë pas zgjedhjeve të përgjithshme të 8 qershorit. Në një letër drejtuar liderëve të 27 shteteve të BE-së, para Samitit, Tusk shkruante se progresi në temat si njerëzit, paratë dhe irlanda, duhet të ishte prioritet në negociata.

Top Channel