Derbi i Katalonjes, kthehet Neymar, Iniesta në dyshim

28/04/2017 00:00

Sulmuesi brazilian Neymar do të rikthehet në radhët e Barcelonës pas mungesës për shkak pezullimi, dhe do të jetë një motivim shtesë për ekipin blaugrana në derbin katalanas kundër Espanjolit.

Trajneri Luis Enrike mbajti të lartë moralin e skuadrës pretendente për titullin në javët finale të sezonit që do të vendosin nëse froni do të jetë për Barcelonën apo për Realin.

Sidoqoftë në derbin e së shtunës, Barça mund të mos ketë në formacion kapitenin Andres Iniesta që vuan një dëmtim në muskujt e kofshës.

“Neymar është plotësisht gati të luajë. Nuk do ti përgjigjet provokimeve të mundshme pasi është specialist në menaxhimin e këtyre situatave. Nëse ka një futbollisti që vuan më shumë faulle në La Liga,ai është Neymar, kështu që besoj do të bëjë më të mirën edhe ndaj Espanjolit” tha trajneri Luis Enrike.

Skuadra blaugrana ka treguar varësinë ndaj Lionel Messit në 3 ndeshjet që mungoi Neymar, me argjentinasin që shënoi plot 6 herë, ku pika kulmore ishte “El Clasico”.

Mungesa të tjera në derbin e katalonjës, do të jenë Zheremi Matjë’, Rafinja, dhe Vidal.

Barcelona aktualisht kryeson La Ligën me pikë të barabarta me Realin, por Galaktikët kanë një ndeshje më shumë për të zhvilluar.

Top Channel