Britani, parandalohet sulmi terrorist. Qëllohet një 21-vjeçare

28/04/2017 00:00

Policia britanike ka mundur të parandalojë një përpjekje për sulm terrorist, pasi qëlloi një grua gjatë bastisjes në një shtëpi në zonën Willesden të Londrës veriperëndimore.

Gruaja 21-vjeçare ishte subjekt i një hetimi, ndërsa gjendja e saj paraqitet serioze, por në kushte të qëndrueshme.

Bastisja e forcave speciale u krye në Kent, e pas tij u arrestuan 6 persona. Oficerët thonë se operacioni nuk ishte i lidhur me atë të arrestimit të një tjetër personi pranë Parlamentit ditën e enjte, aty ku u prangos një burrë me dyshimin e veprave penale të lidhura me terrorizmin.

Sipas njoftimit të policisë, shtëpia e gjendur në “Harlesden Road”, Willesden, e cila u bastis mbrëmjen e së enjtes, ishte nën mbikëqyrje prej kohësh.

Rreth orës 19 të pasdites së djeshme (21 me orën tonë), oficerë të armatosur rëndë hynë në pronën në fjalë, ku hodhën gaz lotsjellës dhe më pas u qëllua një grua. Një mashkull 16-vjeçar, një burrë dhe një grua, që të dy 20-vjeçarë, u arrestuan më pas. Ndërkohë, një grua 43-vjeçare u arrestua në Kent. Por, policia arrestoi edhe dy persona të tjerë në Willesden, pasi një burrë dhe një grua të moshës 28-vjeçare u rikthyen në pronën e bastisur.

Policia njoftoi se të dyshuarit janë arrestuar pas dyshimeve se po kryenin, përgatisnin apo nxisnin akte terroriste. Ata ndodhen aktualisht në paraburgim dhe po merren në pyetje.

Zv.ndihmës komisioneri i Policisë Metropolitane, Neil Basu tha për arrestimet se “në të dyja rastet e kryera dje, besoj se policia ka eliminuar kërcënimet që përbënin ata”. I pyetur nga reporterët nëse policia kishte shmangu kështu një komplot terrorist, Basu u përgjigj me një “Po” të prerë.

“Kemi parë akte të vazhdueshme të trimërisë së oficerëve tanë, të armatosur apo jo, ata që shihen në përditshmëri nga publiku, apo edhe ata që përfshihen drejtpërdrejt në rrezik, por edhe një punë kolosale të pavërejtur nga publiku, e që ndoshta nuk do ta shohë kurrë, që bëhet pas kuintave”, shtoi Basu.

Top Channel