Holanda mendon rikthimin e Advocaat në pankinë

28/04/2017 00:00

Trajneri, të cilin kombëtarja shqiptare e futbollit bëri të shkarkohet nga pankina e Serbisë, për shkak të përballjes para 3 vitesh në Beograd, njëkohësisht një emër i njohur i pankinave si Dick Advocaat, mund të rikthehet sërish në drejtimin e një përfaqësueseje.

Tekniku veteran po finalizon një rikthim mbresëlënës në stolin e “tulipanëve” për herë të tretë në karrierën e tij, vetëm një muaj pasi njoftoi se do të largohej nga bota e futbollit.

Advocaat tha në mars se, pankina e Fenerbahçes në futbollin turk ishte e fundit në të cilën do të ulej, duke i dhënë lamtumirën në qershor ekipit nga Stambolli. Por Federata holandeze e Futbollit e ka joshur për t’u bërë sërish trajner i kombëtares, e nëse ndodh, kjo do të jetë detura e 21-të në karrierën e teknikut tashmë 70-vjeçar.

Në stol, së bashku me Advocaat do të ulet në rolin e asistentit edhe legjenda e futbollit holandez, Ruud Gullit. Federata holandeze e Futbollit shkarkoi Danny Blind pas humbjes së fundit ndaj Bullgarisë, që thuajse ka eliminuar “tulipanët” nga Botërori i ardhshëm në Rusi.

Tashmë drejtuesit rikthejnë vëmendjen tek ish-trajneri i Rusisë, Serbisë, Koresë së Jugut dhe Belgjikës, me eksperiencën e tij si të vetmen zgjidhje për të evituar dështimin e bujshëm në këto kualifikuese.

Dick Advocaat ka drejtuar Holandën në dy intervale të mëparshme kohore, në vitin 1992 dhe në 2002-shin.

Top Channel