Trump i druhet një “konflikti madhor” me Korenë e Veriut

28/04/2017 00:00

Presidenti amerikan Donald Trump është shprehur se do të donte ta zgjidhte krizën me Korenë e Veriut në mënyrë diplomatike, por druhet se edhe një “konflikt madhor” është i mundshëm. Përballë këtij paralajmërimi, ministri i Jashtëm kinez ka bërë për të disatën herë thirrje për negociata dhe dialog.

Këshilli i Sigurimit në OKB është duke diskutuar mbi Korenë e Veriut dhe pritet të marrë në konsideratë masat e mëtejshme për të kundërshtuar programet bërthamore dhe raketore të vendit të izoluar komunist.

Koreja e Veriut ka zhvilluar disa stërvitje ushtarake si për të treguar forcën gjatë javëve të fundit, por testimi i fundit raketor i saj dështoi.

Amerika, nga ana e saj, ka dërguar në rajon luftanije dhe nëndetëse, ndërkohë që ka nisur të instalojë edhe një sistem të shumëdiskutueshëm të mbrojtjes antiraketore në Korenë e Jugut, në fillim të kësaj jave.

Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson tha se Uashingtoni do të negociojë me Korenë e Veriut, duke marrë në konsideratë heqjen dorë nga armët bërthamore, apo denuklearizimin e vendit komunist, pa përfshirë këtu ndryshimin e regjimit.

“Ne nuk synojmë dhe nuk do të synojmë ndryshimin e regjimit atje, nuk duam ta rrëzojmë regjimin ekzistues, sikurse nuk duam të ndihmojmë në përshpejtimin e ribashkimit të dy Koreve. Ne synojmë vetëm denuklearizimin e gadishullit korean, gjë që është tërësisht në përputhje me objektivat edhe të faktorëve të tjerë në rajon”, tha Tillerson.

Koreja e Veriut ka zhvilluar vazhdimisht teste raketore në muajt e fundit dhe ka kërcënuar se do të zhvillojë edhe testin e 6 bërthamor. Por Tillerson shprehu edhe mendimin e tij në lidhje me Kinën, sipas të cilit, edhe aleati më i madh i Koresë së Veriut duhet të nisë ta shohë regjimin koreano-verior si diçka që përbën rrezik për sigurinë e saj.

“Ajo çfarë po rivlerëson tashmë Kina është nëse Koreja e Veriut është një lloj aseti për ta, apo nëse vendi komunist dhe regjimi i tij është kthyer në një pengesë për sigurinë e brendshme të Kinës”, tha Tillerson.

Vetëm pak pasi u zgjodh president, Trump akuzoi Kinën se nuk kishte bërë mjaftueshëm për të frenuar Korenë e Veriut dhe sugjeroi se Shtetet e Bashkuara mund të ndërmerrnin edhe veprime të njëanshme. Por ministri i Jashtëm kinez, Wang Yi ka paralajmëruar se tensionet në gadishullin korean mund të dalin edhe jashtë kontrolli, duke shtuar përpara takimit të sotëm të Këshillit të Sigurimit në OKB se negociatat me Korenë e Veriut janë “e vetmja zgjidhje e mundshme”.

Sipas Tillersonit, Kina i ka thënë Shteteve të Bashkuara se do të vendosë edhe ajo sanksionet e saj ndaj Koresë së Veriut, nëse zhvillon teste të tjera bërthamore.

Top Channel