Pavarësisht dënimit të dhunës nga palët politike në Maqedoni, qëndrimet e tyre përsa i takon situatës vazhdojnë të jenë të kundërta.

Për të dikustuar krizën, presidenti Gjorgje Ivanov ka thirrur një mbledhje urgjente me liderët politikë, të cilët pas incidenteve të dhunshme në Parlament kanë vazhduar t’i drejtojnë gishtin njëri-tjetrit.

LSDM, lideri i së cilës Zoran Zaev u gjakos nga protestuesit e dhunshëm që pushtuan Parlamentin, tha se askush nuk do t’i shpëtojë përgjegjësisë për atë që ndodhi.

Social-demokratët maqedonas thanë se dhuna është pasojë e nxitjeve që i ka bërë asaj Nikolla Grueksvi dhe presidenti Ivanov, që shkaktojnë provokime dhe duan ndarje e urrejtje.

“Do të përgjigjen për rrezikimin e jetës të gjithë ata që kanë marrë pjesë në dhunën në Parlament, si dhe për të gjitha krimet e porositura dhe të zbatuara nga kryesia e VMRO-DPMNE-së”, tha dje me anë të një komunikate LSDM-ja.

Plotësisht i kundër reagimi i vetë Gruesvkit, i cili padyshim dënoi dhunën, por përgjegjësit i sheh përballë tij.

“Zgjedhja e jashtëligjshme e kryetarit të Kuvendit nga LSDM dhe partitë që e mbështesin, duke shkelur procedurat ligjore, kontribuoi në rritjen e tensionit dhe shpërthimin e dhunës”, deklaroi Gruevski.

Vetë i zgjedhuri Talat Xhaferri, i cili ka mbështetjen e ndërkombëtarëve, në reagimin e tij fajësoi drejtpërdrejtë presidentin Ivanov për situatën e krijuar, ndërsa falenderoi shqiptarët që nuk ranë pre e provokimeve.

Ndërkohë, aktori i heshtur i kaosit në Parlament, policia maqedonase duket se do të mbajë përgjegjësinë e saj për trazirat.

Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Nuhiu tha se vlerësimet e para tregojnë që policia nuk ishte ishte në lartësinë e duhur dhe do të kërkohet llogari nga ata që nuk bënë detyrën.

Top Channel