Finalja e Champions në Cardiff, “i fal buzëqeshje” biznesit

28/04/2017 00:00

Cardiffi ka nisur përgatitjet për të pritur finalen e Ligës së Kampioneve edhe pse nuk janë zhvilluar ende ndeshjet gjysmëfinale të këtij evenimenti.

Biznesi këto ditë në kryeqytetin e Uellsit duket se po ecën me ritme shumë të shpejta dhe këtë e tregojnë të ardhurat e përfituara nga hotelet dhe strukturat e tjera pritëse të këtij qyteti.

Tashmë të gjesh për një dhomë të lirë në hotelet e Cardiffit është pothuajse një mision i pamundur pasi të gjitha dhomat janë prenotuar nga persona që kanë pranuar të paguajnë shifra të çmendura.

Kështu për t’u akomoduar në “Student Village Newport” që është 20 km larg kryeqytetit uellsian duhet paguar 789 euro për dhomë, ndërkohë që tarifa në një ditë normale është 59 euro.

Ndërsa për një apartament me 6 dhoma gjumi tarifa arrin deri në 4329 euro. Çmimet e kripura prekin edhe tendat, vlerat e të cilave arrijnë deri në 2000 euro secila.

Për ata tifozë që nuk ua mban xhepi që të shpenzojnë shifra të çmendura, zgjidhja e vetme është akomodimi në hotele që janë të paktën 40 km larg Cardiffit ku çmimi për një dhomë arrin deri në 43 euro.

Top Channel