Simeone refuzon Interin. Spalletti, kandidaturë e vetme

27/04/2017 00:00

Interi ka parë një tjetër kandidat për stolin të refuzojë ofertën e tij, e këtë herë bëhet fjalë për Diego Pablo Simeone.

Sipas asaj që publikohet nga e përditshmja “Marca”, trajneri argjentinas nuk u tundua aspak nga propozimi i klubit zikaltër, që i kërkoi edhe çmimin që dëshironte për të ardhur në Milano, duke konfirmuar dëshirën e tij për të qëndruar në Madrid.

Kontrata e Simeones me Atletico Madrid skadon në vitin 2018, por argjentinasi ka deklaruar gjithnjë se preferon të presë, kjo edhe për faktin se ai dëshiron të jetë në stolin e “Los Colchoneros”, kur kjo skuadër të luajë në stadiumin e saj të ri “Wanda Metropolitan”.

Gjithsesi, shpresat e Interit nuk shuhen plotësisht, pasi muaji i ardhshëm pritet që të jetë vendimtar për të ardhmen e Simeones. Nëse Atletico do të arrijë në finalen e Champions League e madje ta fitojë atë, atëherë ky do të ishte fundi i ciklit të tij te madrilenët, e argjentinasi mund të mentonte për ndonjë aventurë të re. Në këtë rast, Interi do të ishte zgjedhja e tij e parë.

Në të kundërt, Interi do të ketë probleme të mëdha, pasi do t’i duhet të gjejë një trajner të një niveli të lartë për të zëvendësuar Piolin dhe, me Conten që mbahet fort nga Chelsea, janë vërtet të paktë ata që mund të bindin drejtuesit e klubit milanez. Në këtë pikë, ai që fiton kuota të shumta në sytë e drejtuesve të “Suning” është pikërisht Luciano Spalletti i Romës.

Top Channel