“Play off”-et e NBA, fitojnë Boston dhe Washington

27/04/2017 00:00

Thyhet ekuilibri në ndeshjet e “play off”-eve të Konferencës së Lindjes. Boston Celtics arrin të realizojë përmbysjen në serinë e ndeshjeve me Chicagon dhe, pas disavantazhit 0-2, tashmë kryeson në 3-2.

Ndeshja e pestë, e zhvilluar në “TD Garden” përfundoi me rezultatin 108-97, me “Bulls”-at që duket se ndienë mungesën e Rajon Rondo. Gjithsesi, rivaliteti në parket në këtë ndeshje ishte i madh, pasi Chicago arrinte t’i kundërpërgjigjej skuadrës së Bostonit, por kjo deri në mesin e periodës së katërt.

Pikërisht në atë moment, “Celtics” shënuan rezultatin e pjeshëm 13-0, falë pikëve të Horford e Thomas, për të marrë kryesimin në 104-99 dhe më pas për të mbyllur të gjitha llogaritë e kësaj sfide.

Faktori fushë vazhdon të jetë vendimtar në përballjen mes Washingtonit dhe Atlantës. Pas dy disfatave radhazi të pësuara në Georgia, “Wizards” u kthyen në “Verizon Center” për të regjistruar fitoren e tretë në 5 ndeshjet e luajtura deri tani me “Hawks”.

Rezultati përfundimtar i kësaj ndeshjeje ishte 103-99 për Washingtonin, që nuk e pati aspak të lehtë kundër Atlantës. “Wizards” patën momente kur kërkuan të shkëputeshin ndaj rivalëve, por Atlanta iu kundërpërgjigj gjithnjë. Por në çastet e fundit, John Wall shënoi pikët më të rëndësishme të mbrëmjes, duke i dhënë fitoren skuadrës së Washingtonit.

Top Channel