Rikthimi i Sharapovës pritet me kritika nga tenistet e tjera

27/04/2017 00:00

Maria Sharapova është rikthyer në fushat e tenisit, pas pezullimit për përdorim dopingu. Këtë e bëri në mënyrën më të mirë, duke fituar ndaj Roberta Vincit në raundin e parë të turneut të Shtutgartit.

Megjithatë, ky rikthim i ruses nuk është pritur mirë nga një pjesë e kolegeve të saj. Agnieszka Radwanska, Caroline Wozniacki apo vet Roberta Vinci, e kritikuan ftesën që iu bë Sharapovës për këtë turne, teniste të cilave iu bashkua edhe Eugenie Bouchard.

Kanadezja, një nga sportistet më mediatike, në një intervistë për “TRT” nuk hezitoi aspak ta përkufizojë atë si mashtruese.

“Nuk më duket korrekte që Sharapova u ftua të luajë. Ajo është mashtruese dhe mendoj se asnjë e tillë, në çfarëdo lloj sporti nuk duhet të lejohet të kthehet në fushat e lojës. Do të ishte diçka e padrejtë kundrejt lojtareve të tjera, që i respektojnë me të vërtetë normat. WTA po i jep një mesazh të gabuar të rinjve. Mashtroni, se ne do iu presim krahëhapur”, tha Bouchard.

Top Channel