Kushtetuta sportive, Parlamenti voton ligjin

27/04/2017 00:00

Kushtetuta e re sportive është votuar në Parlament pas një pune të madhe të bërë për disa vite me radhë, me diskutime dhe propozime të grupeve të ndryshme të interesit.

Siç e përmendi edhe nismëtari i këtij ligji, deputeti Fidel Ylli, është hera e parë pas mëse 20 vite që mendohet seriozisht për një kushtetutë sportive.

“Kjo qeveri mbajti premtimin e dhënë për një ligj të ri të sportit, për të cilin është folur e diskutuar shumë herë. Për herë të parë në tryezat qeveritare është përmendur një ligj sporti i cili ka mbërritur në Parlament, duke e bërë edhe opozitën, Sali Berishën apo Jozefina Topallin, të flasin për sport”, deklaroi Ylli.

Përpara votimit ishte deputeti Erion Braçe i cili kërkoi të ketë një kufizim me ligj sa i përket mandateve të presidentëve në federatat sportive.

“Edhe Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, por edhe UEFA në mbledhjen e fundit kanë vendosur që të kufizojnë mandatin e presidentit, sekretarit dhe komitetit me nga dy vite. Mendoj që duhet përcaktuar në ligj kjo gjë, 2 vite janë boll”, tha Braçe.

Deputeti Ylli sqaroi se, nëse do të përcaktohej me ligj një gjë e tillë do të cënohej pavarësia e federatave sportive, të cilat kanë një statut në bazë të të cilit funksionojnë të pavarura.

Top Channel