Moggi “riintegrohet” në Shqipëri. Konsulent i Partizanit

27/04/2017 00:00

Pak më shumë se 10 vite nga saga famëkeqe e “Calciopoli”-t, që solli dhjetëra dënime dhe masa administrative për trukimin e rezultateve në futbollin italian dhe atë europian, Luciano Moggi vendos të rinisë lëvizjet në botën e futbollit nga Shqipëria.

Përjashtimi i përjetshëm nga futbolli italian e ka sjellë sërish Moggin në Tiranë, por këtë herë në fokus nuk ishte një libër, por firma si konsulent i Partizanit.

Klubi i Partizanit njoftoi, përmes faqes së vet zyrtare të internetit, “blerjen” më të re dhe rolin e tij, që do të jetë si këshilltar me një kontratë trevjeçare.

“Klubi njofton arritjen e marrëveshjes së bashkëpunimit me Luciano Moggin, ish-drejtues i klubeve më prestigjioze në arenën ndërkombëtare. Konsulenca e Moggit te Partizani do të jetë e pranishme për 3 vitet e ardhshme dhe do të konsistojë në një bashkëpunim në të gjitha fushat, specifikisht të atyre teknike,organizative dhe marketingut. Nëpërmjet kësaj marrëveshjeje, falë eksperiencës dhe aftësive që Moggi zotëron, do t’i mundësojë klubit ngritjen në nivele të larta suksesi, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në arenën ndërkombëtare”, shkruhet në faqen e klubit.

79-vjeçari kontrovers, të cilin në Itali e kujtojnë ende sesi i mbyllte me kyç aritrat në dhomat e tyre kur kontestonte rezultatin, ishte në qendër të skandalit “Calciopoli” që shpërtheu në vitin 2006. Skandali i kushtoi Juventusit heqjen e dy titujve dhe rrëzimin në Serie B.

Top Channel