Shkarkohet mësuesja. Vendimi i Nikollës, pas videos së Berishës

27/04/2017 00:00

Mësuese Elona Bizhdilli, në gjimnazin “Aleksandër Moisiu” në Kavajë është larguar nga puna me urdhër të ministres së Arsimit, Lindita Nikolla.

Mësuesja është denoncuar nga ish-kryeministri Sali Berisha, nëpërmjet një videoje ku dëgjohet se si ajo njofton në klasë takimin me kryeministrin Rama në këtë qytet.

Nikolla e ka argumentuar largimin nga puna të mësueses Bizhdilli me shkeljen e urdhërit të saj për të mos bërë propagandë politike në klasë.

“Kam parë mësues dhe nxënës që marrin pjesë edhe në takimet televizive të Çadrës, por asnjë gjemb në këmbë nuk u ka hyrë dhe nuk do t’u hyjë për arsye politike”, ka deklaruar Nikolla.

Sipas ministres së Arsimit, asnjë nxënës apo mësues/e që nuk dëshiron të marrë pjesë në takime politike, as nuk mund të urdhërohet ta bëjë këtë, as nuk do të cënohet kurrë pse nuk aktivizohet politikisht për këdoqoftë.

“Mësuesit dhe nxënësit janë të lirë të aktivizohen politikisht, por jashtë mureve të shkollës”, theksohet në deklaratën e ministres.

Top Channel