Marrëdhëniet gjermano-turke. Merkel reagon pas arrestimit të gazetarit

27/04/2017 00:00

“Marrëdhëniet Gjermani-Turqi janë goditur rëndë nga veprimet e Ankarasë zyrtare”, tha Kancelarja Angela Merkel në fjalën e mbajtur përpara Parlamentit gjerman.

E njëjta gjë – sipas saj, – vlen të thuhet edhe për marrëdhëniet mes Turqisë së Recep Tayyip Erdoganit dhe Bashkimit Europian. Një prej rasteve më flagrante, që kanë çuar drejt këtij përkeqësimi, është për Merkelin arrestimi i korrespondentit të të përditshmes gjermane “Die Welt”, Deniz Yucel.

Shtetasi gjermano-turk pret të dalë në gjyq, e ndërkohë po mbahet në izolim, ndërsa palës gjermane nuk i është lejuar deri më tani veçse një vizite konsultuese. Referendumi i 16 prillit, që shton ndjeshëm fuqitë e Erdoganit përbën gjithashtu një arsye për shqetësim. Për Merkelin, votimet nuk u mbajtën në kushte të ndershme.

Shefja e ekzekutivit gjerman i refuzoi, megjithatë, thirrjet e opozitës për t’i dhënë fund bashkëpunimit me Ankaranë.

“Një largim i pakthyeshëm i Turqisë nga Europa, apo i Europës nga Turqia nuk është as në interesin e Gjermanisë, e as në atë të Europës. Ne do të vazhdojmë përpjekjet për rivendosjen e një dialogu konstruktiv”, tha Merkel.

Sipas disa raporteve në mediet gjermane, Merkel do ta përdorë samitin e udhëheqësve të BE-së, të shtunën në Bruksel, për të diskutuar ndër të tjera edhe për masat e përshtatshme që duhet të ndërmarrë blloku kundrejt Turqisë.

Marrëdhëniet mes dy aleatëve të NATO-s, Berlinit e Ankarasë, janë përkeqësuar ndjeshëm që prej grushtit të dështuar të shtetit në muajin korrik të vitit të kaluar dhe masave të egra të pushtetarëve turq ndaj personave të konsideruar si komplotistë.

Top Channel