Lirimi i Haradinajt, Serbia i çon “notë proteste” Francës

27/04/2017 00:00

Faktet ligjore ishin në anën e Serbisë. Kështu e konsideron Beogradi zyrtar vendimin e gjykatës franceze, duke e quajtur atë të turpshëm dhe skandaloz.

Drejtësia serbe do ta analizojë këtë vendim, por për qeverinë e Serbisë, që mbajti mbledhje të jashtëzakonshme, kjo është e pafalshme. Francës i dërgohet notë proteste, kurse Serbia do të tërheqë për konsulta ambasadorin e saj në Paris, ndërsa akuzat ndaj Haradinajt janë ende të vlefshme për Serbinë.

“Serbia do të vazhdojë të kërkojë të gjithë ata që kanë kryer krime lufte. Qytetarët e Serbisë duhet të ecin me kokët lart, pasi nuk jemi ne të mposhtur, por ata që japin vendime të tilla. Serbia është një vend i vogël në Europë që lufton për drejtësi dhe që i kundërvihet fuqive më të mëdha. Kanë bërë mirë duke treguar se çfarë mendojnë për popullin tonë. Më vjen keq që kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka thënë se bëhet fjalë për fitoren e shqiptarëve, apo diçka të tillë. Unë them fitorja e serbëve dhe e shqiptarëve do të jetë vetëm atëherë kur të procedohen të gjitha krimet e luftës”, tha Aleksandar Vuçiç, kryeministër i Serbisë.

Vuçiç ka lexuar pjesë nga akuzat e Serbisë për Haradinajn, duke thënë se bëhet fjalë për krime të rënda. Shtypi serb ka shkruar për Haradinajn, duke e quajtur atë “krimineli, sërish në liri”. Partitë e djathta, në reagimin e tyre kanë deklaruar se Serbia nuk duhet të futet në Bashkimin Europian.

Serbia ka paralajmëruar se do t’u shkruajë të gjithë anëtarëve të OKB-së për padrejtësinë, që siç thuhet i është bërë Serbisë, me mosekstradimin e Haradinajt në Beograd. Vuçiç ka paralajmëruar edhe një bisedë me shefin e diplomacisë ruse, Sergej Lavrov, dhe me zyrtarët e shteteve të tjera. Ai ka thënë se vendi i tij nuk do të heqë dorë nga akuza të tilla, siç është ajo kundër Ramush Haradinajt.

Top Channel