Të gjithë kanë vënë paruken e verdhë në kokë, e kanë lyer fytyrën me krem pudër në ngjyrë të portokalltë, si ai që Donald Trumpit i pëlqen shumë.

Imitues të presidentit amerikan u mblodhën në klubin “Laugh Factory” të Los Angelesit për të konkurruar me njëri-tjetrin se kush do të vihej më mirë në rolin e shefit të Shtëpisë së Bardhë.

Deri edhe komedianë nga Zelanda e Re u ngjitën në podiumin e rremë presidencial. Secili prej 10 rivalëve kishte dy minuta kohë në dispozicion për performancën e tij.

Organizatori Darrell Hammond shpjegon përse presidenti i 45-të i Shteteve të Bashkuara është një figurë kaq joshëse për imituesit.

“Trump nuk është si të tjerët. Ai është krejtësisht vetëvetja. Njerëzit që janë oratorë të mëdhenj, rrezik as që e kanë kaluar klasën e aktrimit në shkollë. Ata janë ashtu siç i sheh, prandaj dhe nuk ia shqit dot sytë”, tha Darrell Hammond, komedian.

Garën e fitoi John Di Domenico, një imitues i Trumpit nga Las Vegas, i cili ka që në vitin 2004 që hiqet si miliarderi i pasurive të patundshme, e me këtë punë bën dhe parà.

“Ky është vendimi më i mirë që mund të merrnit”, i tha me shaka jurisë, Di Domenico, duke qëndruar brenda karakterit të Trumpit. “Besomëni, vendim fantastik, iua them unë”.

Top Channel