Universiteti i Sorosit, BE kritikon Orban për ligjin e arsimit

27/04/2017 00:00

Grindja mes BE-së dhe Hungarisë për ligjin e ri të arsimit të lartë ka mbërritur në Parlamentin Europian.

“Unë dhe të gjithë hungarezët i preferojmë fjalët e qarta, edhe nëse ato nuk i pëlqejnë ndokujt”, tha kryeministri hungarez, Viktor Orban, përpara ligjvënësve në Strasburg, e duke nënqeshur shtoi se, “një hungarez nuk heq asnjëherë dorë nga lufta”.

Qortimet e Komisionit të BE-së mbi një seri ligjesh të diskutueshme vërshojnë prej kohësh ndaj Budapestit zyrtar. Zëvendëskryetari i tij, Frans Timmermans e ka akuzuar ashpër qeverinë hungareze për gërryerjen e demokracisë në vendin e vet.

“Përpjekja për të mbyllur ‘Central European University’ (CEU), të themeluar nga manjati hungarezo-amerikan i financave, George Soros, është e gabuar, – komentonte ai, duke sqaruar se – shkenca e lirë dhe angazhimi i shoqërisë civile janë indet e çdo demokracie”.

“Deutsche Ëelle” nënvizon se ligji i ri po verifikohet tani nga Komisioni Europian në një proces formal, ashtu siç po ndodh edhe me ligjin e azilit, i cili parashikon dëbimin e refugjatëve.

“Kam dyshime serioze nëse të gjitha këto përputhen me të drejtën europiane”, deklaron Timmermans. Orban mbrohet duke kujtuar se, nga legjislacioni i arsimit të lartë nuk preket vetem “CEU”, por 22 universitete private, të cilat duhet t’i nënshtrohen të njëjtit standard.

Komisioni Europian e pati vënë Hungarinë në shënjestër edhe në vitin 2011 për mediet dhe reformën e Gjykatës Kushtetuese. Mosmarrëveshjet e asaj kohe u mbyllën me kompromis.

Top Channel