Trump sfidon Jong-un. Mbledh senatorët, kërkon sanksione më të ashpra

27/04/2017 00:00

Shtetet e Bashkuara do të ashpërsojnë sanksionet ndaj Koresë së Veriut, e në të njëjtën kohë do të përshkallëzojnë përpjekjet diplomatike, me qëllimin të shtohet presioni ndaj vendit komunist për t’i dhënë fund programit të vet raketor e bërthamor.

Demonstrim force ka pasur këto ditë nga të dyja palët. Amerika dërgoi një nëndetëse në gadishullin korean, ku pas saj u afrua edhe njësia luftarake detare e udhëhequr nga aeroplanmbajtësja “USS Carl Vinson”.

Kur vjen fjala te retorikat e luftës, Peniani shprehet gjithmonë i gatshëm për kundërpërgjigje. Jo më kot, 85-vjetorin e ushtrisë e shndërroi në mundësinë për të zhvilluar stërvitjet më të mëdha ushtarake deri më tani.

Në një intervistë të rrallë për CNN-in, një zyrtar i qeverisë koreano-veriore la të kuptohet se testet bërthamore të vendit të tij nuk do të ndalojnë, për sa kohë Shtetet e Bashkuara vazhdojnë ato që Peniani i sheh si “akte agresioni”.

Sok Chol-won nuk e konfirmoi nëse testi i shumëdiskutuar i 6 bërthamor do të zhvillohet vërtet. Por vendimi – sipas tij, – nuk ka për t’u ndikuar nga zhvillimet e jashtme.

“Prova bërthamore është pjesë e rëndësishme e përpjekjeve tona të vazhdueshme për forcimin e fuqisë nukleare. Derisa Amerika nuk i ndal veprimet e veta të agresionit, as ne nuk do t’i ndalojmë testet atomike e ato raketore”, citohet të ketë thënë zyrtari koreano-verior.

Strategjinë e forcimit të sanksioneve, Donald Trump e bëri publike pas takimit me 100 senatorë në Shtëpinë e Bardhë, tema qëndrore e të cilit ishte pikërisht Peniani dhe kokëçarjet që ai po i sjell botës perëndimore.

Duke qenë se informacione të tilla, senatorët i marrin përgjithësisht në Kongres, takimi në fjalë u konsiderua një zhvillim i pazakontë. Presidenti amerikan e konsideron të papranueshme “status quo”-në e lidhur me Korenë e Veriut. “Përpara këtij problemi janë mbyllur sytë për dekada të tëra, – thotë Trump, – e tani është koha që ai të zgjidhet”.

Top Channel