Reforma e Trump, ulje taksash për bizneset

26/04/2017 00:00

Administrata Trump ka propozuar reduktimin e taksave për koorporatat, me qëllim nxitjen e rritjes ekonomike.

Sekretari i thesarit, Steven Mnuchin, zbuloi strategjinë e taksave të presidentit Trump, që redukton taksimin e bizneseve nga 35 për qind në 15 për qind. Ekonomistët thonë se reduktimi i taksave do të shtojë triliona dollarë defiçitit përgjatë dekadës së ardhshme, por Mnuchin tha se plani i taksave do të paguajë nëpërmjet rritjes.

Ai, bashkë me këshilltarin kryesor ekonomik në Shtëpinë e Bardhë, Gary Cohn, prezantuan programin e ri të taksave, që e quajtën, reduktimin më të madh të taksave në histori.

“Ne kemi mundësinë që vjen vetëm një herë në një gjeneratë, për të bërë diçka vërtetë të madhe. Presidenti Trump e ka bërë reformën e taksave, një prioritet dhe ne kemi një kongres republikan, që kërkon realizimin e saj. Shpresoj që edhe demokratët do ta mbështesin, pasi është në të mirë të popullit amerikan”, tha Gary Cohn, Këshilltari ekonomik në Shtëpinë e Bardhë.

“Sipas planit Trump, ne do të kemi një reduktim masiv taksash për bizneset, një reformë gjigante të taksave dhe thjeshtim të tyre. Siç ka thënë presidenti gjatë fushatës, ne do të ulim taksat për bizneset në 15 për qind dhe do të ndërtojmë një sistem territoria”, u shpreh Steven Mnuchin.

Taksa e shumëdiskutuar e kufirit nuk përfshihet në plan, e po ashtu as plani 1 trilionë dollarësh i Trump për përmirësimin e infrastrukturës. Gjithsesi, demokratët nuk pritet të mbështesin një plan që thellon borxhin kombëtar.

Ata po ashtu nënvizojnë edhe faktin se pesha e taksave mbi bizneset e vetë Trumpit do të zbutet, sipas këtij plani të ri, duke i kursyer atij miliona dollarë. Sipas tyre, nuk qëndron as pretendimi se rritja ekonomike do të krijojë mjaftueshëm të ardhura për të mbuluar reduktimin e taksave për bizneset.

Top Channel