Dortmund mposht Bajernin, në finale përballë Eintracht

26/04/2017 00:00

Në 3 përballjet mes tyre në Kupën e Gjermanisë, Bajerni i Mynihut dhe Borussia e Dortmundit asnjëherë nuk kishin mundur të zgjidhnin kualifikimin brenda 90 minutave, por këtë herë ishte ndryshe.

Formacioni bavarez humbi 2-3 ndaj verdhezinjve në Alianz Arena brenda kohës së rregullt duke i lënë Borusias biletën e fundit për në finalen e turneut.

Marko Rojs i dha epërsinë ekipit mik pas një aksioni që nisi nga gafa e Martinez dhe çoi sferën në shtyllë para se të pushonte në rrjetë. Mbrojtësi spanjoll e korrigjoi shpejt gabimin duke shënuar golin e barazimit në një kërcim me kokë në zonën e Dortmundit.

Rrjeta që kaloi Bajernin në avantazh erdhi nga mbrojtësi Mats Humels, ndëshkimi klasik i një futbollisti për ish-ekipin e tij.

Por sulmuesi Obamejang i harruar nga prapavija barazoi në 2-2 në një pozicion të lehtë me kokë pranë vijës fatale. Çerek ore nga fundi Dembele vulosi dhe finalen për Dortmundin, trofe të cilin do ta diskutojë me Eintrachtin e Frankfurtit.

Top Channel