SHBA instalojnë sistem anti-raketë në Korenë e Jugut

26/04/2017 00:00

Ushtria amerikane ka nisur instalimin e një sistemi mbrojtës anti-raketë në një zonë të Koresë së Jugut, në një kohë kur tensionet me Veriun fqinj janë më të larta se kurrë.

Sistemi “Thaad” është i projektuar për t’u mbrojtur nga kërcënimet që mund të vijnë nga ambicjet raketore të Penianit.

Qindra banorë të zonës protestuan teksa kamionët me pajisjet e sistemit mbërrinin. Nga ana tjetër, Kina deklaron se “Thaad” do të destabilizojë sigurinë në rajon.

Shtetet e Bashkuara në ditët e fundit kanë vendosur anije luftarake dhe nëndetëse në gadishullin Korean, për shkak të frikës së Korea e Veriut mund të planifikojë teste të reja bërthamore.

Administrata e Trump, që i ka bërë thirrje Kinës për të ndikuar tek aleati i saj, Peniani, pritet të mbajë një mbledhje të senatorëve në Shtëpinë e Bardhë lidhur me situatën.

Sistemi “Thaad”, Terminal High-Altitude Area Defense, është i projektuar të lokalizojë dhe shkatërrojë raketa balistike me rreze të shkurtër e të mesme veprimi në fazën e fundit të fluturimit të tyre.

“Korea e Jugut dhe Shtetet e Bashkuara kanë punuar së bashku për të mundësuar ngritjen e sistemit anti-raketë, në përgjigje ndaj kërcënimit bërthamor dhe raketor të Veriut, që sa vjen e avancon”, ka deklaruar Ministria e Mbrojtjes në Seul.

Top Channel