Le Pen sfidon Macron gjatë fushatës në Amiens

26/04/2017 00:00

Kandidati pretendent i presidencialeve franceze, Emmanuel Macron është bombarduar nga pyetje të pakëndshme nga punonjësit e një fabrike në Amiens, pas vizitës në këtë të fundit të rivales së tij nga ekstremi i djathtë, Marine Le Pen.

Le Pen tërhoqi vëmendjen ndaj rivalit të saj të qendrës, duke u kthyer të fliste me punonjësit, në kohën që ai takohej me përfaqësuesit e sindikatës së tyre pak kilometra më tej.

Macron, i cili është shumë më në avantazh sipas sondazheve të fundit, ndodhet në vendlindjen e tij Amiens mes akuzave për vetëkënaqësi. Ai mori së fundi edhe miratimin e ish-presidentit Nicolas Sarkozy, duke përforcuar pozitat e tij në garën presidenciale.

François Fillon, kandidati i Partisë Republikane të drejtuar nga Sarkozy, u eliminua në raundin e parë zgjedhor, duke lënë të paqartë sesi do të votojnë mbështetësit e kësaj partie në balotazhin e majit.

Sondazhet e para të së dielës, menjëherë pas raundit të parë, tregojnë se Macron, kandidat i lëvizjes “En Marche!”, do ta mposhtë me lehtësi Le Penin, e cila ka dhënë përkohësisht dorëheqjen nga posti i drejtueses së “Frontit Nacional”.

“Whirpool”, kompani e pajisjeve elektroshtëpiake, me seli në Amiens, qytet industrial në veri të Francës, përballet me kërcënimin për t’u mbyllur dhe për t’u transferuar në Poloni.

Macron u takua më herët me delegatët e sindikatës në Dhomën lokale të Tregtisë. Ndërkohë, Le Pen ishte duke shkrepur “selfie”-t e rastit me punonjësit jashtë fabrikës, vetëm pak kilometra më tej.

“Kur dëgjova se Emmanuel Macron do të vinte këtu dhe nuk kishte planifikuar të takohej me punonjësit, duke mos dalë në vijën e parë të betejës por duke u strukur kushedi se ku në Dhomën e Tregtisë, e konsiderova si një shenjë përbuzjeje ndaj punonjësve të Whirpool, ndaj vendosa të vij këtu e t’i takoj vet ata”, është cituar të ketë thënë Le Pen nga “Reuters”.

Por Macron iu kundërpërgjigj në “Twitter”, duke thënë:

“Marine Le Pen qëndroi për 10 minuta me mbështetësit e saj në një parking përballë kamerave, ndërsa unë qëndrova për një orë e 15 minuta me sindikatën dhe pa praninë e medieve. Se kë do të zgjedhin, t’ia lëmë 7 majit”.

Top Channel