Kompania italiane “Alitalia”, në kaos

26/04/2017 00:00

Punonjësit e kompanisë së fluturimit “Alitalia” hodhën poshtë hipotezën e një marrëveshjeje të mundshme me qeverinë, për zbatimin e një plani industrial që parashikonte shkurtime.

6.816 vota kundër dhe 3.206 pro bëjnë më të afërt e të mundshme hipotezën e likuidimit, shumë shqetësuese për qeverinë, e cila i ka kërkuar Bashkimit Europian një borxh prej 400 milionë eurosh për të garantuar mbijetesën e kompanisë në pritje të një blerësi.

Kompania regjistron shifra të larta udhëtarësh, teksa vetëm gjatë vitit të kaluar, me avionët e “Alitalia”-s kanë fluturuar rreth 23 milionë pasagjerë.

Por ç’mund të ndryshojë konkretisht për ata që përgatitën të organizojnë pushimet e verës?

Aktualisht është e mundur prerja e biletave edhe për periudhën korrik-gusht për të gjitha linjat, por kjo nuk do të thotë që fluturimet janë të garantuara.

Enti Kombëtar i Fluturimit bën të ditur se, në rast se kompania do të drejtohet nën formë të mbikëqyrur në pritje të një blerësi, nuk do të ketë më licencë fluturimi, por një autorizim të përkohshëm që do të përtërihet muaj për muaj.

Ndërkohë, nga “Alitalia” bëjnë të ditur se gjithçka mbetet siç ishte, në pritje të vendimeve që do të dalin nga Asambleja e aksionerëve, në program të mbahet më 2 maj.

Top Channel