Rumani, shpëtohet dyvjeçari i rënë në pusin 16 metra të thellë

26/04/2017 00:00

Janë dashur 12 orë për të shpëtuar dyvjeçarin Daniel Pascu nga pusi 16 metra i thellë, ku u rrëzua në Balta Sarata të Rumanisë. Djali i vogël po luante me vëllain e tij, të cilët i kanë hequr kapakun pusit, në kohën kur e ëma hyri për pak kohë brenda në shtëpi.

“Nëna ishte me fëmijët e saj në kopësht. Ajo është 9-muajshe shtatzënë, pati etje dhe hyri në shtëpi të pinte ujë. Pikërisht në atë moment, të vegjlit kanë lëvizur kapakun. Fëmija më i rritur ka vrapuar i tmerruar tek e ëma, duke i thënë se i vogli kishte rënë në pus. Ajo është tronditur rëndë. Fqinjët nxituan të shihnin ç’po ndodhte e pastaj erdhën edhe zjarrfikësit”, tha Georgeta Cornea, banore e zonës.

Pusi ishte vetëm 30 cm i gjerë, e kjo i shkaktoi shumë probleme ekipit të shpëtimit.

“Djali ra në një pus 16 metra të thellë, por ishte gjallë. U përpoqëm me çdo mënyrë të mundshme që ta nxirrnim jashtë. Në fund u detyruam të gërmonim e të hapnim një kanal ngjitur me pusin”, tha Gelu Dragomir, zjarrfikës.

Dyvjeçarit iu dha ndihma e parë në vendngjarje, e pas kësaj u dërgua me urgjencë në spital.

Top Channel