Xhinse pune, por 425 dollarëshe

26/04/2017 00:00

Një kompani amerikane veshjesh u kritikua dhe u tall fuqishëm në mediet sociale, por edhe ato vizive, pasi nxori në shitje pantallona “Jeans” me njolla të rreme balte për 425 dollarë.

Në faqen e internetit të kompanisë “Nordstrom” shkruhet se, pantallonat janë veshje pune të forta, tipike amerikane, dhe për ata që punojnë fort.

Ndërkohë, kritikët e shumtë nuk e kanë pëlqyer aspak çmimin e kripur të pantallonave, e mbi të gjitha sloganet me të cilat po tentohet të shiten.

Shumë njerëz komentuan se “nuk ke pse shpenzon aq shumë parà për xhinse me njolla të rreme balte, kur mjafton të bësh ndonjë punë në oborr me xhinset e vjetra për të arritur të njëjtin rezultat”.

Por ajo që zemëroi më shumë njerëzit ishte komenti i kompanisë se, xhinset kanë njolla të rreme balte për të treguar se ai që i vesh nuk ka frikë të punojë e të bëhet pis.

Një nga komentet më të gjetura ishte ai i Mike Rowe, prezantues i programit “Punët e pista” në “Discovery Channel”, i cili tha se xhinset e “Nordstrom” duken sikur i ka veshur dikush që bëhet pis në punë, por në fakt janë krijuar për ata që nuk punojnë.

Sipas Rowe, këto xhinse janë veshje për njerëz të pasur, që e shohin punën si ironike. Kritikët e shumtë të kompanisë thonë se, me çmimin prej 425 dollarësh, xhinset me njolla të rreme balte janë bërë për liberalët e pasur, që shtiren sikur e dinë se çfarë është të punosh fort.

FOTO GALERI
1/6

Top Channel