Francë, gjobitet kryebashkiaku: Në shkolla ka shumë nxënës myslimanë

26/04/2017 00:00

Një kryebashkiak i ekstremit të djathtë në Francë u gjobit me 2.000 euro për nxitje urrejtjeje, pasi deklaroi se në shkollat e qytetit të tij kishte tej mase fëmijë myslimanë.

Robert Menard, kryetari i Bashkisë Beziers është aleat i partisë antiemigracion “Fronti Nacional”. Më 1 shtator 2016, dita e nisjes së shkollës në Francë, ai shkroi në “Twitter” se po dëshmonte me sytë e tij zëvendësimin e madh.

Ky term përdoret përherë me polemika të mëdha në Francë dhe përshkruan dëbimin e supozuar të popullsisë së bardhë të krishterë nga emigrantët. Por Menard nuk u mjaftua me kaq dhe disa ditë pas nisjes së shkollës, në një emision televiziv tha se në një klasë shkolle në qendër të qytetit, 91% e nxënësve janë myslimanë.

Sipas tij, ky është një problem dhe se toleranca ka kufi. Por ligji francez ndalon grumbullimin e të dhënave bazuar në besimin fetar të njerëzve, apo etninë e tyre, prandaj gjykata e gjobiti kryebashkiakun, i cili është një politikan i pavarur antiemigracion, që mbështetet nga “Fronti Nacional” i Marine Le Pen.

Menard, i cili do ta apelojë vendimin, tha se thjesht përshkroi situatën në qytetin e tij. Kryebashkiaku shtoi se nuk bëri ndonjë vlerësim apo gjykim, por thjesht përmendi një fakt, diçka që kushdo mund ta shohë me sytë e tij.

Top Channel