Turqi, sërish arrestime masive antigyleniste

26/04/2017 00:00

Turqia nxori urdhërarreste për rreth 1.000 persona, nga të cilët 800 u vunë në pranga në të gjithë vendin, si pjesë e një operacioni kundër rrjetit të klerikut Fetullah Gulen, që Turqia e fajëson për grushtin e dështuar të shtetit të vitit të kaluar.

Autoritetet turke thanë se operacionet shënjestruan strukturën e rrjetit në forcat policore dhe shumica e të arrestuarve ishin oficerë policie. Mediet turke raportojnë se të arrestuarit në zona të ndryshme të vendit do të transferohen që të gjithë në kryeqytetin Ankara.

Pas grushtit të shtetit korrikun e kaluar, autoritetet turke arrestuan mbi 40 mijë njerëz dhe pezulluan rreth 120 mijë të tjerë nga një sërë profesionesh, përfshirë ushtarë, policë, mësues dhe nëpunës publikë.

Arrestimet e fundit vijnë 10 ditë pas referendumit të shumëluftuar, që miratoi zgjerimin e fuqive të presidentit Recep Tayyp Erdogan. Referendumi ndau thellësisht Turqinë, pavarësisht se Erdogan pretendon se përforcimi i presidencës do të shmangë destabilizimin që vjen nga qeveritë e koalicionit, ndërsa Turqia përballet me kërcënime sigurie nga militantët islamikë dhe kurdë.

Por kritikët e tij druhen se vendi po zhytet edhe më thellë në autoritarizëm, me një udhëheqës që ka tendencën të dëmtojë demokracinë dhe themelet laike të Turqisë, ku arrestime të tilla masive nuk dërgojnë asnjë sinjal pozitiv.

Top Channel