“Play off”-et e NBA, kualifikohet edhe Houston Rockets

26/04/2017 00:00

Houston Rockets i bashkohet Golden State Warriors në gjysmëfinalet e Konferencës së Perëndimit, në NBA.

Në “Toyota Center”, skuadra teksane fitoi ndeshjen e pestë ndaj Oklahomës 105-99, duke e mbyllur serinë e përballjeve me të me rezultatin 4-1.

James Harden shënoi 34 pikë, ndërsa Lou Williams e mbylli sfidën me 22 pikë për teksanët, të cilët në fundin e periodës së tretë e panë veten në disavantazhin e 7 pikëve. Një situatë, të cilën skuadra e Houstonit arriti ta përmbysë.

Në krahun tjetër, Oklahoma konfirmoi edhe njëherë se ka qenë e varur krejtësisht nga Russell Westbrook, i cili në 42 minuta lojë shënoi 47 pikë, ndërkohë që në 6 minutat kur ai ishte në stol, Oklahoma pa Houstonin të regjistrojë një rezultat të pjesshëm 27-9.

Houston tashmë pret i qetë kundërshtarin e tij, që do të dalë nga përballja mes Memphis dhe San Antonios. Ky i fundit arriti të fitojë ndeshjen e pestë me Grizzlies 116-103, për të marrë kryesimin në 3-2.

Në “AT&T Center”, ai që spikati për të besuarit e Gregg Popovich ishte i zakonshmi Leonard me 28 pikë, por kontribut dhanë edhe lojtarët e aktivizuar nga pankina, Patty Mills e Manu Ginobili, respketivisht me 20 dhe 10 pikë.

Për Memphis, 26 pikët e Mike Conley dhe 17 të Marc Gasol nuk ishin të mjaftueshme, ndërkohë që zhgënjeu totalisht Zack Randolph.

Utah Jazz pushton “Staples Center” dhe mposht LA Clippers 96-92 në ndeshjen e pestë, për të marrë kryesimin në 3-2. Ashtu siç ka ndodhur shpesh kohët e fundit, protagonist për skuadrën e Jazz u bë Gordon Hayward, autor i 27 pikëve, 8 topave në tabelë dhe 4 asisteve.

LA Clippers, gjatë sfidës e panë veten në një disavantazh prej 11 pikësh, por arritën ta anulojnë atë dhe të barazojë shifrat në 69-69. Por Utah reagoi dhe rimori kontrollin e ndeshjes falë rezultatit të pjesshëm 8-0.

Ndeshja e 6 do të luhet në Salt Lake City dhe Clippersave do t’u duhet të fitojnë me çdo kusht, për të qëndruar në garë për kualifikimin në gjysmëfinalet e Perëndimit.

Top Channel