Kupa e Konfederatave, Rusia: Vendi është gati

26/04/2017 00:00

Moska, Shën Pjetërburgu, Soçi dhe Kazani janë gati për Kupën e Konfederatave të këtij viti. Kjo është ajo që deklaroi presidenti i Federatës Ruse të Futbollit, Vitaly Mutko, në prag të këtij evenimenti që i paraprin Kupës së Botës, që do të zhvillohet në vitin 2018.

Kohët e fundit, shqetësimi më i madh ka qenë për Shën Pjetërburgun, ku muajin e kaluar pati një shpërthim në metronë e qytetit, duke shkaktuar vdekjen e 16 personave.

Mutko deklaroi se në Shën Pjetërburg, por edhe në qytetet e tjera, do të aplikohet një strategji e re për sigurinë, strategji që do të përpilohet në bashkëpunim me FIFA-n.

Një tjetër temë që u prek nga kreu i qeverisë së futbollit rus ishte edhe ajo e akreditimit të gazetarëve, me Mutkon që konfirmoi se nuk do të ketë asnjë kufizim në këtë pikë, duke hedhur poshtë lajmin e publikuar më parë nga një e përditshmja gjermane “Bild”, ku theksohej se Rusia do të censuronte median për të kërcënuar me bojkot të evenimentit.

Top Channel