Papa Françesku, shërbim lavanderie falas për të varfrit e Romës

26/04/2017 00:00

Lavanderia e Papa Françeskut ka hapur dyert në Romë për të varfrit e të pastrehët, të cilëve nuk do t’u duhet të paguajnë për të përdorur lavatriçet e saj.

Ilaçet dhe zbutësit e rrobave ofrohen gjithashtu pa pagesa për këtë kategori. Lavanderia ndodhet në një kompleks të vjetër spitalor në lagjen “Trastevere” të Romës, pranë Vatikanit.

Ajo përbën gjestin më të fundit të udhëheqësit të 1.2 miliardë katolikëve të botës ndaj nevojtarëve, gjendja e vështirë e të cilëve ka marrë vëmendje qëndrore gjatë papatit të tij.

“Një gjest i tillë ka domethënie vërtet të madhe për ne, sepse jemi paksa në disavantazh sa i takon larjes së rrobave. E vetmja gjë që mund të bënim ishte të lanim veshjet më të lehta, por kur vinte fjala te të mëdhatë detyroheshim t’i hidhnim. Kjo është një mrekulli për ne, sepse na lehtëson shumë. Dua ta falënderoj Papa Françeskun, i cili është një person vërtet modest, sidomos kur vjen fjala te të vobektët”, tha Ciro Guardascione, i pastrehë.

Ideja është që përveç ofrimit të një vendi ku këta njerëz mund të lajnë e thajnë veshjet dhe batanijet e tyre, lavanderia do t’i ndihmojë të rivendosin deri diku edhe dinjitetin e humbur.

Ajo do të qëndrojë e hapur 4 ditë të javës. Françesku, edhe në vendlindjen e tij Buenos Aires njihej dikur si “peshkopi i lagjeve të varfra”, për vizitat e shpeshta që bënte nëpër kasolle.

Top Channel