Ish-këshilltari Flynn shkeli ligjin me pagesat ruse

25/04/2017 00:00

Ish-këshilltari i Sigurisë Kombëtare i presidentit Donald Trump nuk informoi siç duhej për pagesat nga Rusia dhe duket se nuk ka respektuar ligjin.

Kështu deklaruan kreu i Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Mbikëqyrjen, Jason Chaffetz, si dhe anëtari demokrat Elijah Cummings, pasi rishikuan aplikimin e Michael Flynn për leje sigurie.

Chaffetz dhe Cummings i bënë publike zbulimet e tyre në një konferencë për shtyp, pas një takimi të rezervuar të komitetit, në të cilin panë dokumente që Cumming i përshkroi si tejet shqetësuese.

“Unë nuk kam parë asnjë të dhënë që të mbështesë nocionin se gjenerali Flynn respektoi ligjin”, deklaroi Jason Chaffetz, duke iu referuar faktit nëse Flynn mori leje nga Pentagoni apo Departamenti i Shtetit, apo nëse tregoi shumën prej 45 mijë dollarësh që u pagua për një fjalim në Rusi.

Komiteti Mbikëqyrës ka nisur prej kohësh hetimet për Flynn, ndërsa në mbledhjen e së martës u rishikuan dokumente sekrete për gjeneralin Flynn, të dërguara nga Departamenti i Mbrojtjes pas kërkesës së vet komitetit.

Ky i fundit ka kërkuar informacione të tjera për Flynn edhe nga Shtëpia e Bardhë, FBI-ja dhe zyra e drejtorit të Inteligjencës Kombëtare. Gjenerali Flynn dha dorëheqjen nga posti i tij si këshilltar për Sigurinë Kombëtare, pasi u zbulua se mbajti sekrete bisedat që kishte bërë me ambasadorin rus në SHBA, Sergey Kislyak.

Disa javë pas dorëheqjes, Flynn tha se është i gatshëm të dëshmojë në këmbim të imunitetit, një ofertë që duket se s’është marrë parasysh nga askush.

Top Channel