Superiorja, derbi i kryeqytetit ngre siparin

25/04/2017 00:00

Federata Shqiptare e Futbollit zyrtarizoi kalendarin e javës së 31-të të Kategorisë Superiore, me ndeshjet e ndara në 3 ditë, që pritet të sjellin të reja në të dyja frontet: për titullin kampion dhe luftën për mbijetesë.

Kryefjala e futbollit shqiptar të kësaj jave do të jetë derbi i kryeqytetit, që ngre edhe siparin e të gjithë axhendës së fundjavës.

Tirana dhe Partizani vijnë në këtë përballje nga rrugëtime të ndryshme. Bardheblutë e trajnerit Josa janë të rrezikuar nga rënia në një kategori inferiore dhe totalisht jashtë objektivave. Një humbje potenciale, e kombinuar me sukseset e Flamurtarit apo Teutës, do të trondiste vërtet pozitat e kryeqytetasve.

Ndërkohë, Partizani synon të mos lëshojë bashkëkryesimin me Kukësin, duke llogaritur që verilindorët kanë një ndeshje të lehtë në letër ndaj Laçit, të shtunën në orën 16:00. Në po të njëjtën ditë, Vllaznia luan ndaj Korabit tashmë të rënë nga Superiorja.

Të dielën, Skënderbeu luan në Gjirokastër ndaj surprizës së kampionatit. Luftëtari duket se e kaloi krizën e shkaktuar nga gjykimi i dobët dhe problemet me stafin teknik, e përfaqëson një pengesë serioze për korçarët, kampionë në fuqi.

Humbja e “ujqërve” është praktikisht një lamtumirë e sigurtë ndaj fronit. Po të dielën, derbi bregdetar i mbijetesës rezervon pikë të çmuara në lojë në “Niko Dovana”. Mbetet për t’u parë se kush do t’i marrë ato, mes Teutës e Flamurtarit.

Top Channel