Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka hedhur idenë e krijimit të një unioni doganor në Ballkanin Perëndimor, por ende nuk dihet se çfarë do të thotë kjo.

Ekspertët mendojne se ideja nuk është e keqe, por ka pengesa dhe mangësi të mëdha, e jo të gjitha vendet e Ballkanit e mbështesin, të tilla si Shqipëria dhe Kosova.

“Ideja për një union doganor është më shumë një ide politike sesa ekonomike”, mendon kryeredaktori i gazetës javore “NIN”, Millan Qulibrk. Sipas tij, ajo duket si një përpjekje për uljen e tensioneve politike në rajon.

Qulibrk thotë për “Deutsche Welle”-n se një union i tillë nuk është i nevojshëm, pasi ekziston “CEFTA”. Analisti ekonomik Mijat Lakiçeviç mendon se “ideja është e mirë, por mund të funksionojë vetëm pas një kohe të gjatë”.

Për funksionimin e saj kërkohet një stabilitet politik. Ekonomisti Sasha Gjogoviç e sheh marrëveshjen për një union të ri doganor si një hap më larg në zbatimin e marrëveshjes “CEFTA”. Por njëkohësisht, ai paralajmëron se një gjë e tillë nuk mund të bëhet shpejt.

Sipas Gjogoviç, Serbia ka marrëveshje për tregti të lirë me Rusinë dhe Unionin e Euroazisë, e nuk do të kishte interes të futet tani në një union tjetër doganor rajonal. “E megjithatë, – shtoi ai, – një marrëveshje e tillë do të ishte një stimulim edhe për futjen e vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor në zonën Euroaziatike”.

Top Channel