Homazhet për policin e vrarë, Hollande bën thirrje për unitet

25/04/2017 00:00

Presidenti francez, François Hollande shfrytëzoi ceremoninë e zhvilluar në nder të policit të vrarë javën e kaluar në Paris, për të ripërtërirë thirrjen për unitet, në atë që e quajti “lufta e gjatë dhe e vështirë kundër terrorizmit”.

Ai i akordoi 37-vjeçarit Xavier Jugelé titullin “Legjioni i Nderit”, një prej nderimeve më të larta në Francë.

“Edhe njëherë Franca humbi një prej qytetarëve të saj të devotshëm. Franca është në krye të luftës kundër terrorizmit islamik, e do të vazhdojë derisa kërcënimi të eliminohet plotësisht. Beteja do të jetë e gjatë dhe e vështirë, por ne do të dalim triumfues”, tha François Hollande.

37-vjeçari Jugelé u vra me kallashnikov ditën e enjte, ndërsa ishte në krye të detyrës në “Champs Elisee”. I dyshuari kryesor i sulmit, që u mor përsipër nga Shteti Islamik, është krimineli i dënuar më parë, Karim Cheurfi.

Të pranishëm në ceremoni ishin edhe dy kandidatët për të pasuar Hollande në krye të Elizesë, Emmanuel Macron dhe Marine Le Pen.

Ata kanë pikëpamje drastikisht të ndryshme sa i përket sigurisë. Udhëheqësja e së djathtës ekstreme kërkon rikthimin e kontrolleve kufitare dhe deportimin e të gjithë të huajve të dyshuar për lidhje terroriste. Ndërsa Macron, mbështetës i kufijve të hapur, u ka bërë thirrje qytetarëve francezë të mos dorëzohen përballë frikës.

Top Channel