Ivanka mbron të atin në Berlin. Plas pakënaqësia mes audiencës

25/04/2017 00:00

Në vizitën e saj të parë përtej oqeanit si vajza e presidentit amerikan, Ivanka Trump u përpoq të mbronte sjelljen e të atit kundrejt grave. Por kjo nuk u ka pëlqyer aspak pjesëmarrëseve në samitin e G20-s kushtuar grave në Berlin.

Ajo që konsiderohet si “Zonja e vërtetë e Parë” amerikane po merrte pjesë në një panel diskutimi mbi sipërmarrëset femra krah Kancelares Angela Merkel dhe shefes së FMN-së Christine Lagarde. Por audienca shpërtheu në pasthirrma pakënaqësie, kur më e preferuara e fëmijëve të Trumpit nuk ia kurseu vlerësimet të atit.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë është kritikuar shpesh për sjelljen e tij ndaj grave, veçanërisht pas publikimit të një videoje gjatë fushatës elektorale, ku ai dëgjohej duke bërë deklarata aspak të hijshme ndaj seksit tjetër.

Por Ivanka, e cila është gjithashtu këshilltare e numrit një të Uashingtonit, tha se as ajo, e as mijëra gratë që kishte punësuar i ati gjatë viteve, nuk e njihnin njeriun që kishin kritikuar mediet.

“Jam shumë krenare për babanë tim. Prej kohësh ai ka qenë një mbrojtës i flaktë i grave e familjeve dhe është përpjekur të mundësojë zhvillimin e tyre”, tha Ivanka Trump.

Roli i Ivankës në Shtëpinë e Bardhë mbetet ende i paqartë. Në muajin mars u njoftua se 35-vjeçarja, e cila iu bashkua bizneseve të të atit pas diplomimit, do të mbante postin e këshilltares pa pagesë. Ajo dhe bashkëshorti Jared Kushner konsderohen si tepër ndikues.

Gazeta gjermane “Berliner Zeitung” tha se zyrtarët shpresonin që vajza e presidentit, e ftuar në Berlin nga Merkel, do t’i përcillte një imazh pozitiv të Gjermanisë babait të saj, pas vizitës së shkurtër në këtë vend.

Top Channel